Imami Ebu Hanife, Allahu e mëshiroftë, njihej si respektues i madh i prindërve. Për ta lutej shpesh dhe kërkonte falje dhe për çdo muaj jepte lëmoshë nga njëzet dinar.
Kur flet për veten thotë: Nganjëherë shkoja në mexhlisin e Omer ibën Dherit së bashku me nënë time, e nganjëherë më dërgonte mua ta pyes për ndonjë mesele.
Një ditë ju afrova dhe thash: Nëna më ka urdhëruar të vi tek ti dhe të pyes për filan meselenë. – Më tha: Çudi, ti të më parashtrosh pyetje, kurse je më i ditur se unë?! – I thash: Nëna më urdhëroi dhe nuk dua ta refuzoj! – Më tha: Tregoma përgjigjen e pastaj ta them unë të njëjtën përgjigje?! – Unë ia tregoja përgjigjen, pastaj ai ma përsëriste të njëjtën përgjigje dhe unë u ktheja te nëna ime dhe e lajmëroja për përgjigjen!
Një ditë nga ditët nëna kërkoi nga unë mendimin tim rreth një çështjeje. Unë ia ktheva përgjigjen, mirëpo ajo nuk e pranoi! Më tha se nuk e pranon përgjigjen e pyetjes përveç se nga Zur-ra el-Vaidh, Allahu e mëshiroftë.
Shkova deri tek ai dhe i thash: Nëna ime kërkon fetva nga ti për filan meselenë. Më tha: Ti je më ditur se unë. I thash: A ti thamë se meseleja është kështu. Më tha: E vërtetë është ajo që e thotë Ebu Hanifja.
Isha i kënaqur nga përgjigja dhe ika ta lajmëroj nënën time.
Nga arabishtja: Irfan JAHIU